Kroacia ka shprehur gatishmërinë për të përforcuar kontributin e saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, gjatë një deklarate për gazetarët në Bruksel, bëri të ditur se Zagrebi zyrtar po ndjek dinamikën e kërkuar nga aleatët për të rritur praninë ushtarake evropiane.
Ky zhvillim pason njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili konfirmoi se numri i ushtarëve në Kosovë do të reduktohet nga 4.700 sa është aktualisht, në nivelin e para vitit 2023, përkatësisht në 3.000 deri në 3.500 pjesëtarë. Gjenerali Alexus G. Grynkewich, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, njoftoi më herët se po hartohen planet për riorganizimin e misionit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë takimit në Bruksel, theksoi se prania e ShBA-së në Evropë po zvogëlohet, duke u kërkuar shteteve anëtare të angazhohen më tepër. Hegseth paralajmëroi se ShBA-ja do të vëzhgojë nga afër gatishmërinë e aleatëve për të mbështetur këtë tranzicion të përgjegjësive të sigurisë, duke shtuar se do të monitorojë se kush po i përgjigjet pozitivisht këtij obligimi.