Jasir Asani, sulmuesi i kombëtares shqiptare te FC Esteghlal, ka mohuar kategorikisht spekulimet për një largim të mundshëm gjatë kësaj periudhe transferimesh. Ai ka konfirmuar se do të vazhdojë aventurën e tij në Teheran, duke u zotuar për angazhim maksimal për objektivat e ekipit.
Reagimi i tij erdhi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku iu drejtua drejtpërdrejt tifozëve të Esteghlalit. "Tifozë të dashur dhe besnikë të Esteghlalit, që nga dita kur mora ofertën e këtij klubi ndjeva pasionin dhe entuziazmin tuaj. Zgjodha Esteghlalin me gjithë zemër për të luftuar për sukses përkrah jush. Ditët e fundit kam dëgjuar thashetheme për largimin tim, por e vërteta është se kam folur me trajnerin dhe i kemi premtuar njëri-tjetrit se do të luftojmë së bashku për objektivat tona", shkruan Asani.
Ai shton se dëshira e tij është të qëndrojë në klub deri në arritjen e një suksesi të madh. "Jam këtu për dashurinë tuaj dhe nuk do të shkoj askund. Vetëm Esteghlal", përfundon mesazhin futbollisti shqiptar.
Asani po kalon një sezon pozitiv me skuadrën iraniane, ku ka shënuar 11 gola në 24 paraqitje, duke u bërë një nga lojtarët më vendimtarë të ekipit. Spekulimet për largimin e tij u lidhën me trazirat në Republikën Islamike, por ai i ka mohuar plotësisht ato.