Klubi i Juventusit është gjobitur me 10 mijë euro nga gjyqtari sportiv Gerardo Mastrandrea, pas sjelljes së një grupi tifozësh gjatë minutës së heshtjes për Sandro Mazzolan. Incidenti ndodhi në stadiumin “Allianz” para fillimit të ndeshjes ndaj Atalantës, kur një pjesë e mbështetësve në tribunën jugore i kthyen shpinën fushës dhe kënduan këngë për figura të ndjera të klubit bardhezi, si Gaetano Scirea, Andrea Fortunato dhe Gianni Agnelli.
Në arsyetimin e vendimit, autoritetet sportive theksuan se sanksioni u zbut për shkak të reagimit të shpejtë dhe zyrtar të klubit, i cili dënoi publikisht incidentin. Gjithashtu, u vlerësua fakti se pjesa tjetër e tifozëve në stadium mori pjesë në homazh dhe u distancua nga veprimet e grupit të vogël. Juventusi deklaroi se asnjë rivalitet nuk mund të justifikojë mungesën e respektit gjatë momenteve të përkujtimit, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi që tejkalon ngjyrat e klubeve.
Ngjarja ka ngjallur reagime të gjera, përfshirë ato nga Presidenti i Senatit italian, Ignazio La Russa, i cili theksoi se madhështia e Sandro Mazzolas nuk mund të cenohet nga veprime të tilla. Mazzola, i cili ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare, njihet si një prej ikonave të historisë së Interit dhe futbollit italian, me një karrierë të suksesshme që përfshin katër tituj të Serie A dhe fitimin e Kampionatit Evropian të vitit 1968 me kombëtaren e Italisë.