Kamerat e sigurisë në Prishtinë, të vendosura muaj më parë nga drejtoria e policisë, kanë rritur efektivitetin e monitorimit dhe ndëshkimit të kundërvajtjeve në trafikun rrugor. Sipas njësisë së trafikut në kryeqytet, përmes tyre ndëshkohen 50 deri në 100 persona në baza ditore, ndërsa gjatë një jave janë gjobitur mbi 1 mijë kundërvajtës.
Vedat Zuka, shef i operativës së trafikut në kryeqytet, konfirmon se "gjobat variojnë, vetëm përmes kamerave, mund ta konfirmoj se diku prej 50 deri në 100 gjoba brenda ditës, ky është trendi". Ai vlerëson se kamerat kanë qenë shumë efikase që nga vendosja e tyre, kanë ndikuar pozitivisht në sjelljen e vozitësve dhe kanë përmirësuar gjendjen me një përqindje të dukshme. Zuka falënderon vozitësit që respektojnë këshillat dhe sugjerimet.
Policia bën thirrje që ngasësit të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut për të parandaluar aksidentet dhe për të ruajtur jetën e qytetarëve. Njësisia e trafikut vazhdon shqiptimin e gjobave si përmes kamerave ashtu edhe gjatë detyrave në terren.
Kamerat e sigurisë pritet të vendosen edhe në shumë pjesë të tjera të kryeqytetit. Ekspertë të komunikacionit nënvizojnë se këto kamera synojnë parandalimin e aksidenteve dhe presin rezultate pozitive në sigurinë e përgjithshme. Sipas tyre, gjobat duhet të jenë më të larta dhe pa përjashtim.