Kancelari gjerman Friedrich Merz, gjatë një vizite zyrtare në Irlandë, vend që mban Presidencën e Bashkimit Evropian, ka kërkuar përshpejtimin e integrimit të Malit të Zi në bllokun evropian deri në vitin 2028. Mbështetjen për këtë objektiv e ka përforcuar edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi se Mali i Zi pritet të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian brenda këtij afati. Ajo theksoi se vendi kryeson rajonin me mbi 90 përqind të angazhimeve të zbatuara në kuadër të Planit të Rritjes, duke konfirmuar se Komisioni Evropian do të paraqesë së shpejti një udhërrëfyes për të përcaktuar hapat e mëtejshëm për kandidatët e përparuar.
Sipas Merz, Mali i Zi ka përmbushur kriteret e Kopenhagës dhe integrimi i tij nuk duhet të zvarritet për shkak të vonesave të shteteve të tjera kandidate. Kancelari ka përgatitur propozime të përbashkëta me Presidentin francez, Emmanuel Macron, për një integrim gradual të rajonit, çështje e cila do të diskutohet me krerët e shteteve anëtare në Këshillin Evropian gjatë tetorit.
Pavarësisht këtij optimizmi, procesi përballet me sfida, përfshirë veton e vendosur nga Kroacia për një prej kapitujve të negociatave. Megjithatë, autoritetet malazeze mbeten të fokusuara në objektivin për anëtarësim brenda vitit 2028.
Kryeministri irlandez, Michael Martin, rikonfirmoi angazhimin e presidencës irlandeze për të punuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Ai vlerësoi se përparimi i Malit të Zi shërben si një model pozitiv për të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Përditësime
Ursula von der Leyen deklaroi se Mali i Zi do të jetë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.