Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka folur për zbulimin e dy varrezave në afërsi të Zubin Potokut. Sipas informacioneve që ajo disponon, më 19 prill 1999, dy grupe të ndara të shqiptarëve dyshohet se janë kapur dhe vrarë nga forcat policore dhe ushtarake serbe.
Kandiq ka theksuar se në Serbi nuk ka vullnet politik për hapjen e arkivave shtetërore. Për këtë arsye, ajo vlerëson se është e domosdoshme një përfshirje dhe presion më i madh ndërkombëtar, me qëllim që të mundësohet qasja në dokumentet policore dhe ushtarake të periudhës së luftës. Ajo shprehet se institucionet serbe posedojnë dokumentacionin përkatës, por mungon dëshira politike për t'i bërë ato publike.
Sipas saj, arsyeja kryesore e kësaj mungese vullneti qëndron te fakti se partitë dhe koalicioni në pushtet në Serbi kanë qenë pjesë e politikave të kohës së luftës, duke filluar nga mbështetja për pastrimin etnik. Kandiq shtoi për RTK se në nivelet e larta shtetërore në Serbi dëgjohen ende deklarata që shprehin keqardhje pse Sllobodan Millosheviçi nuk e ka përmbushur pastrimin etnik gjatë asaj periudhe.