Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli më 5 mars 2026, në Tiranë, dy vendimet e fundit të procesit të Vetting-ut, duke shënuar përfundimin e 417 cështjeve të regjistruara në kuadër të reformës së sistemit gjyqësor, të nisur në vitin 2016 me ndryshime kushtetuese dhe ligjore.
Vendimet u morën për prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, i arrestuar, dhe ndihmësen ligjore Majlinda Tosku pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Të dy u shkarkuan nga detyrat.
Vendimi për Aurel Zarka
Çështja (JR) 42/2024, e datës 28.10.2024, lidhet me ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 779 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të datës 28.06.2024. Trupi gjykues, me kryesuese Natasha Mulaj, relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo, ndryshoi vendimin e KPK-së dhe vendosi shkarkimin e tij bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Vendimi është unanimous, përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.
Vendimi për Majlinda Tosku
Çështja nr. 14/2024, e datës 12.04.2024, lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit. Trupi gjykues, me kryesuese Ina Rama, relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo, vendosi shkarkimin e saj.
Deri në qershor 2026, kur përfundon mandati kushtetues, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vijojë me arsyetimin e vendimeve të mbetura, të shpallura më parë në mënyrë të përmbledhur, si dhe me shqyrtimin e kërkesave për rishikim të vendimeve të KPA-së nga subjektet e shkarkuara.