Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli më 27 shkurt 2026 vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës Gjergji Tako. Vendimi erdhi pas shqyrtimit të çështjes nr. 54/2023, e nisur nga ankimi i Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 698 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), datë 15 shtator 2023.
Trupi gjykues, i kryesuar nga Ina Rama, me relator Sokol Çomo dhe anëtarët Albana Shtylla, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, vendosi me shumicë votash ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin e Takos. Arsyet kryesore përfshijnë probleme të etikës dhe të kriterit profesional, si dhe sjellje të vazhdueshme që tregojnë mungesë angazhimi e përgjegjshmërie në detyrë. Këto u vlerësuan si vullnetshme dhe të parregullueshme me trajnim në Shkollën e Magjistraturës.
Vendimi u mbështet në nenin 66, pika 1, shkronja b të ligjit nr. 84/2016 "Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë". Është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, kishte kërkuar shkarkimin e Takos më 3 shkurt 2026, duke identifikuar probleme në 11 çështje të hetuara prej tij. Ai evidentoi mungesë analize të faktit penal, hetimesh e verifikimesh të duhura. Një rast specifik është denoncimi i shtetasit A.L., ku të pandehurit nuk u njoftuan për përfundimin e hetimeve dhe kërkesa për gjykim u konsiderua e pavlefshme nga gjykata.
KPA konstatoi gjithashtu se Tako kishte përdorur tre automjete pa kryer zhdoganimin, pa i regjistruar dhe pa leje qarkullimi. Gjatë hetimit administrativ, ai paraqiti akte për të ndryshuar faktet në favor të tij.