Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi të enjten kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mbylljen e procesit të vetingut ndaj ish-gjyqtares Mimoza Margjeka pa një vendim përfundimtar. Sipas KPA-së, Margjeka nuk e gëzon më statusin e magjistrates, pasi u shkarkua nga sistemi i drejtësisë për shkak të një vendimi penal të formës së prerë për korrupsion. Procesi i vetingut ka humbur qëllimin dhe objektin e tij.
Vendimi u shpall në Tiranë më 26 shkurt 2026, nga trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Sokol Çomo anëtarë. Ai është unanim, bazuar në nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 84/2016 "Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve" dhe nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative. Vendimi ka efekt të menjëhershëm.
Kronologjia e shkarkimit
• 26 shkurt 2024: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi Margjekën.
• 9 prill 2024: Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi shkarkimin e saj pas procedimit disiplinor të nisur nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë për dënimin penal.
• Ankimi i Margjekës në KPA u refuzua më 9 shkurt.
Çështja penale
Margjeka u arrestua në shtator 2020, kur ishte e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë. Ajo u shpall fajtore për marrjen e 6 mijë eurove përmes bashkëshortit Arben Cara, me qëllim lehtësimin e masës së sigurisë ndaj një personi të ndaluar në Pogradec. Gjykata deklaroi fajtorë pesë të pandehurit në dhjetor 2022.
Margjeka u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, me pezullim të pjesës së mbetur të dënimit dhe vendosje në provë për 3 vite. Gjithashtu, iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Të pandehurit e tjerë përfshinin Nejton Bali, Klaudio Zhilla dhe avokatin Skënder Demiraj.
Përditësime
KPA zhvilloi seancë më 10 shkurt në çështjen e vettingut të ish-gjyqtares Mimoza Margjeka.
- SPAK parashtroi konkluzionet dhe kërkoi mbylljen.
- Margjeka nuk ishte e pranishme, pa justifikim, dhe dorëzoi kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues.
- Prokurori Adnan Xholi, përfaqësues i Klodian Brahos nga SPAK, parashtroi argumente për rolet e KPK dhe KLGJ në procedimin disiplinor.