Qeveria parashikon të zbatojë skemën e kompensimit për shtesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit me pagë minimale, si në vitin 2022. Kompensimi mbulon periudhën janar–shtator 2026, pas rritjes së pagës minimale me 10 mijë lekë nga 1 janari 2026, duke arritur në 50 mijë lekë në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar fillimisht këtë masë në dëgjesat me qytetarët para miratimit të projektbuxhetit 2026. Ai deklaroi: «Në mënyrë që punëdhënësit të marrin kohë për të sistemuar këtë rritje, 9 muajt e para sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore të atyre që e kanë pagën nën 500 euro do t’i paguajë qeveria. Punëdhënësit do të duhet t’i japin punonjësve paga minimale nga janari 500 euro. Sigurimet do t’i mbulojë qeveria».
Burime nga institucionet zbatuese kanë sqaruar për Monitor se aplikimet nisin në mars. Kategoritë përfituese dhe masa e kompensimit përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Përgjegjëse për ndjekjen e procesit dhe subvencionimin është Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit (AKPA).
Aplikimet kryhen përmes platformës e-Albania, me afat jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës. Gjatë marsit, subjektet aplikojnë për kompensimin e muajve janar dhe shkurt. Më pas, aplikimi bëhet çdo muaj pas dorëzimit të listëpagesës.
Procedura është e njëjtë me atë të vitit 2022, kur paga minimale u rrit nga 32 mijë lekë në 34 mijë lekë dhe qeveria miratoi kompensim për shtesën e kontributeve.