Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët dhe shitësit se, me rastin e Festës së Bajramit, shitja e deleve, shpezëve dhe kafshëve të tjera lejohet vetëm më 18 dhe 19 mars 2026 në fshatin Bernicë e Poshtme, konkretisht në parkingun e rrugës „Vëllezërit Fazliu”, të njohur si ish-tregu i automjeteve.
Në këtë lokacion autorizohet vetëm shitja, ndërsa therja ose prerja e kafshëve ndalohet në çdo rrethanë. Komuna kërkon nga shitësit të ruajnë pastërtinë e ambientit, duke shmangur hedhjen e mbeturinave apo mbetjeve të tjera.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit angazhohet Inspektorati i Kryeqytetit, i cili do të monitorojë zbatimin e rregullave. Ndaj shitësve që veprojnë jashtë këtij vendi do të merren masa ligjore sipas legjislacionit në fuqi.