Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po reflektohet drejtpërdrejt në tregun e turizmit shqiptar. Ndryshe nga anulimet masive në disa vende europiane, në Shqipëri fenomeni është më i heshtur, por po aq i ndjeshëm. Rezervimet e reja për Turqinë janë pothuajse të ngrira.
Operatorët turistikë njoftuan se ofertat early booking për sezonin veror mbeten aktive deri në fund të marsit, por ritmi i prenotimeve ka rënë ndjeshëm ditët e fundit. Paketat vazhdojnë të shiten me çmime promovuese, por klientët hezitojnë të konfirmojnë. «Nuk kemi valë anulimesh, por nuk kemi as rezervime të reja», thanë përfaqësues nga Ilirida Travel and Tours.
Preokupimet e klientëve
Familjet që kanë rezervuar në janar dhe shkurt po interesohen nëse situata e sigurisë mund të prekë Turqinë dhe nëse do të kenë mundësi rimbursimi në rast përshkallëzimi. Sipas Zenith Travel dhe Hima Travel, pyetja më e shpeshtë tani lidhet me garancinë e kthimit të parave për arsye sigurie, jo më me hotelin apo shërbimet.
Nëse tensionet zgjasin, kërkesa mund të zhvendoset drejt destinacioneve si Spanja, Italia apo Greqia.
Rëndësia e Turqisë
Turqia është zgjedhja kryesore e pushimeve familjare për shqiptarët prej vitesh. Destinacione si Antalia, Bodrumi dhe Belek ofrohen si paketa standarde verore, falë çmimeve konkurruese, formulës all inclusive dhe fluturimeve direkte charter nga Tirana. Sipas të dhënave të mëparshme, Turqia renditet ndër destinacionet më të shitura për periudhën qershor–shtator, me mijëra paketa të kontraktuara çdo vit. Ofertat e hershme nisin zakonisht në dhjetor–janar dhe kulmojnë deri në fund të marsit.