Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC) në New York. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq të komunitetit shqiptar dhe personalitete të shumta nga jeta publike.
Në fjalën e tij, Konjufca vlerësoi kontributin e organizatave dhe veprimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se puna e tyre disadekadëshe për sensibilizimin e opinionit dhe institucioneve amerikane qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Duke folur mbi zhvillimet e fundit, ai u ndal te aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Konjufca e cilësoi këtë vendim si një padrejtësi që tejkalon fatin personal të të dënuarve dhe prek kauzën e lirisë dhe çlirimit të popullit të Kosovës. Ai bëri thirrje për korrigjimin e kësaj padrejtësie dhe mbrojtjen e legjitimitetit të luftës çlirimtare të UÇK-së.
Në lidhje me situatën në Kosovë, Konjufca theksoi domosdoshmërinë e stabilitetit institucional dhe demokratik. Ai kërkoi përgjegjësi politike dhe reflektim, duke nënvizuar se në periudha sfidash, interesi shtetëror dhe kombëtar duhet të mbizotërojë mbi interesat e ngushta partiake. Në përfundim, ai falënderoi AARC-në për rolin në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe mbajtjen e lidhjeve të mërgatës me vendet tona.