Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes u shqyrtua projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, paraqiti dhe argumentoi nismën, duke theksuar krijimin e një kuadri të ri ligjor për forcimin e kontrollit, transparencës dhe profesionalizmit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale.
Sipas Lamallarit, projektligji synon një strukturë moderne dhe funksionale që garanton mbikëqyrje efektive të institucioneve përkatëse, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë penale. Agjencia do të ketë për mision parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale brenda sistemit, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm për integritetin institucional.
Ministri theksoi se Ministria e Drejtësisë i qëndron variantit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili ka pasur kohë të mjaftueshme për konsultime të plota. Një theks i veçantë i jepet veprimtarisë informative gjurmuese, e zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimet ndërinstitucionale, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore.
Projektligji parashikon mekanizma shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe kërkesën për autorizim nga prokurori para marrjes së të dhënave nga punonjësit operacionalë, për të shmangur abuzimet. U riformuluan dispozitat për emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke forcuar balancën institucionale mes ministrit dhe Kryeministrit. Gjithashtu, u vendosën kritere më të qarta për transferimet, komandimet dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
Në fund, projektligji u miratua në parim dhe vijoi shqyrtimi nen për nen.