Kosova ka fituar të drejtën për të marrë parafinancim mbi 60 milionë euro nga Plani i Rritjes, pas miratimit të marrëveshjeve të domosdoshme në Kuvend. Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë konfirmuar se vendi ka paraqitur kërkesën për lirimin e këtyre mjeteve, që përfaqësojnë deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar në kuadër të këtij instrumenti.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi: «Tani që marrëveshjet e lidhura me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë parafinancimin. Sapo këto ligje të shpallen zyrtarisht dhe t’i komunikohen Komisionit, dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme, mund të bëhet lirimi i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes».
Nga Plani i Ri i Rritjes, Kosova përfiton rreth 880 milionë euro. Parafinancimi prej mbi 60 milionë euro është në dispozicion menjëherë për secilin vend përfitues, ndërsa pagesat e tjera varen nga vlerësimi i kushteve të përgjithshme për çdo pagesë.
Për të vazhduar me marrjen e mjeteve financiare, krahas reformave të nevojshme, Kosova duhet të përmbushë parakushtet si:
• Stabilitetin makroekonomik;
• Menaxhimin e shëndoshë të financave publike;
• Transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit;
• Mbrojtjen dhe respektimin e mekanizmave demokratikë;
• Angazhimin konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Procedura është e njëjtë për të gjithë vendet përfituese të rajonit.