Kosova ka dorëzuar kërkesën zyrtare për pranimin e pagesës së mjeteve të parafinancimit nga Plani i Rritjes. Kjo ndodh në kuadër të paketës financiare për rajonin, e paraparë për periudhën 2024-2027.
Komisioni Evropian pret njoftimin formal nga autoritetet e Prishtinës se marrëveshjet relevante janë ratifikuar në Kuvend, për të mundësuar procedimin me pagesën. Pagesat e tjera do të kryhen në bazë të programeve që Kosova do t’i paraqesë Komisionit.
Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e këtij plani, Kosova duhet të përshpejtojë procesin reformues, pasi mjetet financiare janë të afatizuara. Një pjesë e reformave kishte afat përfundimtar në dhjetor 2024, ndërsa pjesa tjetër në dhjetor 2025.
Periudha e zgjeruar e afateve
Komisioni Evropian parashikon një "periudhë gri", që zgjat afatin përfundimtar me dy vjet për hapat që duhej të përmbusheshin deri në dhjetor 2024 dhe me një vit për hapat në qershor 2025 e më pas. Nëse një hap nuk përmbushet deri në fund të kësaj periudhe, shteti humb fondet e alokuara për të.
Kosova ishte ndër vendet e para në rajon që miratoi Agjendën e Reformave, e cila u aprovua nga Komisioni Evropian në tetor 2024. Procedimi i pagesave nuk ishte i mundur për shkak të ngërçit politik.
Nëse shfrytëzon të gjitha mundësitë, Kosova mund të marrë mbi 880 milionë euro, duke u renditur si vendi që përfiton më së shumti për kokë banori nga kjo paketë.