Sipas raportit të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike, numri i bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë ka shënuar rënie për të tretin muaj radhazi. Gjatë muajit qershor, janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 92 ndërmarrje, duke shënuar një ulje prej 1,4% në raport me muajin maj të vitit 2026.
Trendi rënës është vërejtur edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku regjistrimet janë ulur për 5,1% krahasuar me qershorin e vitit 2025. Përveç uljes së regjistrimeve, muaji qershor është karakterizuar edhe nga një rritje e numrit të çregjistrimeve, me gjithsej 107 biznese të mbyllura, krahasuar me 78 që u mbyllën në muajin maj.
Aktivitetet ekonomike dhe madh madhësia e bizneseve
Sektorët më të preferuar për hapjen e bizneseve të reja gjatë qershorit kanë mbetur:
• Tregtia me shumicë dhe pakicë (përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave): 242 ndërmarrje.
• Shërbimet e akomodimit dhe ushqimit: 124 ndërmarrje.
• Ndërtimtaria: 121 ndërmarrje.
• Aktivitetet profesionale, shkencore e teknike: 114 ndërmarrje.
Struktura e ndërmarrjeve të regjistruara vazhdon të dominohet nga bizneset e vogla. Nga totali i regjistrimeve, 1 mijë e 88 ndërmarrje bëjnë pjesë në kategorinë e mikro-ndërmarrjeve (0-9 të punësuar), ndërsa vetëm 4 ndërmarrje janë regjistruar në kategorinë e bizneseve të vogla (10-49 të punësuar). Gjatë këtij muaji, nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.
Ndryshimet rajonale
Në nivel rajonal, Prishtina mbetet qendra kryesore ekonomike me 536 regjistrime, duke përbërë rreth 49,1% të totalit në vend. Rritje të regjistrimeve krahasuar me majin kanë shënuar edhe qendrat si Peja, Gjilani dhe Ferizaji, ndërsa rënie janë evidentuar në Gjakovë, Prizren dhe Mitrovicë.
Përditësime
Sektori i biznesit në Kosovë ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë korrikut 2026. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i ndërmarrjeve të reja arriti në 1 mijë e 583, duke tejkaluar ndjeshëm 1 mijë e 92 regjistrimet e qershorit. Pavarësisht rritjes së numrit të bizneseve të reja, shkalla e shuarjes së ndërmarrjeve mbeti thuajse e pandryshuar, me 109 të mbyllura krahasuar me 107 në qershor. Struktura ekonomike vijon të jetë e përqendruar në mikrondërmarrjet, me 1 mijë e 563 të tilla, ndërsa tregtia mbetet sektori më i preferuar me 356 ndërmarrje të reja. Prishtina ruan primatin për nga përqendrimi i bizneseve të reja me 738 njësi, e ndjekur nga Prizreni, Ferizaji, Peja, Mitrovica, Gjilani dhe Gjakova.