Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë për muajin qershor 2026 ka pësuar rënie, duke pasqyruar një ngadalësim në dinamikën e sipërmarrjes. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 1.092 ndërmarrje, që përfaqëson një tkurrje prej 1,4% krahasuar me muajin maj 2026 dhe 5,1% krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Struktura dhe lloji i bizneseve
Sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, mbetet aktiviteti ekonomik më i parapëlqyer, me 242 ndërmarrje të regjistruara, që përbëjnë 22,2% të totalit. Sektorët e tjerë me interes për sipërmarrësit ishin:
• Akomodimi dhe shërbimet e ushqimit: 124 ndërmarrje (11,4%)
• Ndërtimtaria: 121 ndërmarrje (11,1%)
• Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike: 114 ndërmarrje (10,4%)
Në aspektin e përmasave, ekonomia vazhdon të mbështetet te mikro-ndërmarrjet. Nga totali i bizneseve të reja, 1.088 ndërmarrje kanë nga 0 deri në 9 të punësuar, ndërsa vetëm 4 biznese janë regjistruar në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla me 10 deri në 49 punëtorë. Gjatë qershorit nuk u regjistrua asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe. Sa i përket organizimit ligjor, Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (Sh.P.K.) përbëjnë 78,57% të regjistrimeve, ndërsa bizneset individuale zënë 20,88%.
Shpërndarja gjeografike
Rajoni i Prishtinës vijon të jetë qendra ekonomike e vendit me 536 ndërmarrje të reja, ose 49,1% të regjistrimeve totale. Pjesa tjetër e regjistrimeve sipas rajoneve është si më poshtë:
• Ferizaj: 115 ndërmarrje (10,5%)
• Prizren: 109 ndërmarrje (10%)
• Gjilan: 97 ndërmarrje (8,9%)
• Pejë: 90 ndërmarrje (8,2%)
• Mitrovicë: 85 ndërmarrje (7,8%)
• Gjakovë: 60 ndërmarrje (5,5%)
Ndërsa qendra si Prishtina, Peja, Gjilani dhe Ferizaj shënuan rritje të lehtë në numrin e regjistrimeve krahasuar me muajin e kaluar, rënie u evidentuan në Gjakovë, Prizren dhe Mitrovicë.