Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) parashikon se java nga 9 deri më 13 nëntor do të karakterizohet në Kosovë nga vranësira të shpeshta, intervale me diell dhe reshje të herëpashershme shiu. Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga 1 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 11 deri në 19 gradë Celsius. Mjegull pritet në shumë zona gjatë mëngjesit, veçanërisht të hënën dhe të martën. Nga mesi i javës pritet rritje graduale e temperaturave.
Të hënën moti do të jetë kryesisht i vranët, me riga shiu dhe mjegull në orët e hershme të mëngjesit. Temperaturat minimale parashikohen nga 1 deri në 4 gradë, ndërsa maksimalet nga 6 deri në 11 gradë Celsius. Era do të fryjë nga juglindja me shpejtësi 1–4 metra në sekondë.
Të martën priten vranësira të shpërndara dhe intervale me diell. Temperaturat do të lëvizin nga 1 deri në 5 gradë në mëngjes dhe nga 9 deri në 14 gradë Celsius gjatë ditës. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–3 metra në sekondë.
Të mërkurën do të ketë vranësira dhe intervale me diell, ndërsa në disa vende mund të ketë riga shiu. Temperaturat minimale pritet të jenë nga 2 deri në 5 gradë, ndërsa maksimalet nga 11 deri në 15 gradë Celsius. Era do të fryjë nga juglindja me shpejtësi 1–4 metra në sekondë.
Të enjten moti do të jetë i vranët, me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 7 gradë, ndërsa maksimalet nga 15 deri në 19 gradë Celsius. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–3 metra në sekondë.
Të premten pritet mot i vranët, me reshje shiu në disa zona. Temperaturat minimale do të jenë nga 4 deri në 9 gradë, ndërsa maksimalet nga 15 deri në 19 gradë Celsius. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–3 metra në sekondë.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike do të jenë të ndryshueshme dhe lagështia e shtuar mund të ndikojë te personat e ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike. Bota Sot raporton se kushtet agrometeorologjike pritet të jenë përgjithësisht të favorshme për kulturat bujqësore, falë lagështisë së mjaftueshme në tokë.