Rritja e kostos së jetesës po i detyron familjet në Iran të rishqyrtojnë shpenzimet për ushqim, banim, udhëtime, ngrënie jashtë dhe kursime. Një grua e sapomartuar në Teheran i tha Radio Farda-s se paratë e planifikuara për festën e dasmës u përdorën si kapar për banesën. Ajo punon në dy ndërrime për të shlyer kredinë, ndërsa bashkë me bashkëshortin kalon pjesën më të madhe të kohës duke punuar. “Shtëpia jonë është shndërruar në një vend ku thjesht flemë”, tha ajo. Gruaja kërkoi që emri i saj të mos publikohej.
Sanksionet ndërkombëtare, inflacioni i vazhdueshëm dhe zhvlerësimi i rialit kanë rënduar ekonominë iraniane. Vështirësitë ekonomike ishin ndër faktorët kryesorë që nxitën protestat e janarit, të cilat autoritetet iraniane i shtypën me dhunë vdekjeprurëse. Presioni ekonomik u shtua pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë.
Tregtia është penguar nga bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane, e cila ka kufizuar eksportet e naftës dhe importet e mallrave, si dhe nga përpjekjet e Iranit për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit përmes sulmeve që kanë penguar transportin detar. Në gusht, Departamenti amerikan i Thesarit nisi një fushatë të re sanksionesh, të cilën zyrtarët amerikanë e quajtën “Dita D ekonomike”. Fushata synon izolimin e mëtejshëm financiar të Teheranit. Këto presione kanë thelluar krizën ekonomike dhe kanë gërryer fuqinë blerëse të iranianëve.
Ndryshimi i blerjeve dhe i dietës
Një hulumtim në terren i Radio Farda-s në qendër të Teheranit tregoi se familjet po ndryshojnë përparësitë e blerjeve, po lënë pa plotësuar disa nevoja bazë dhe po heqin dorë nga veprimtari që dikur ishin pjesë e zakonshme e jetës së shtresës së mesme.
Përgatitja në shtëpi e pulës me barberi, një bimë me kokrra të kuqe që përdoret në kuzhinën iraniane, kushton pothuajse dyfishin e një viti më parë. Një vakt me ghormeh sabzi dhe oriz, gjellë tradicionale me barishte që konsiderohet gatimi kombëtar i Iranit, mund të kushtojë 23 milionë rialë (8,45 dollarë). Kookoo sib zamini, gatim tradicional persian me patate dhe vezë, kushton rreth 4 milionë rialë.
Një grua i tha Radio Farda-s se familja e saj ruan pjesën më të madhe të mishit të kuq dhe pulës për fëmijët. Ajo dhe bashkëshorti hanë në vend të tyre bishtajore dhe produkte të tjera zëvendësuese. Ata shqetësohen se rritja e çmimeve mund t’i detyrojë të heqin mishin dhe pulën edhe nga dieta e fëmijëve.
Sipas vlerësimit të Factnameh, një platformë për verifikimin e fakteve me seli në Kanada, në shtator një shportë me 11 produkte ushqimore bazë kushtonte 56 milionë rialë (20,70 dollarë) për person. Për një familje me tre anëtarë, shuma kalonte 168 milionë rialë (61,70 dollarë). Kuponi ushqimor qeveritar prej 10 milionë rialësh (3,67 dollarë) mbulonte më pak se 18 për qind të kostos për person, krahasuar me rreth 30 për qind në dhjetor 2025. Sipas raportimit, inflacioni vjetor arriti në 89,9 për qind në shtator.