Çmimi i produkteve kryesore të naftës, benzinës dhe gazoilit, të konsumuara në Shqipëri u rrit në tregun ndërkombëtar nga rreth 750 dollarë për ton para nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në 1430 dollarë për ton të hënën më 23 mars 2026.
Analiza e BIRN parashikon se kjo rritje prej 48% mund të sjellë kosto shtesë për ekonominë shqiptare. Në vitin 2025, Shqipëria importoi 741 mijë ton karburante, të cilat kushtuan afërsisht 555 milionë dollarë. Me çmimin aktual, ato do të kushtonin pothuajse 1.1 miliardë dollarë. Kështu, kostoja shtesë e krizës mund të arrijë gjysmë miliardë dollarë ose rreth 400 milionë euro, nëse kriza zgjat një vit.
Kjo shifër përfaqëson afërsisht 1.4% të PBB-së. Në një skenar të tillë, rritja ekonomike për vitin 2026 nuk do të jetë 3.6%, siç parashikon Fondi Monetar Ndërkombëtar, por do të bjerë në 2.2%.
Qeveria ka parashikuar deficit buxhetor prej 64 miliardë lekësh, ose 2.3% të PBB-së. Përballë të ardhurave në rënie për shkak të rritjes ekonomike më të ulët, qeveria mund të kryejë shkurtime shpenzimesh ose të rrisë borxhin publik, çka do të çonte në interesa më të larta.
Analiza e BIRN e cilëson këtë llogaritje si të përciptë, pasi nuk merr parasysh faktorë të tjerë, si prodhimi i energjisë nga hidrocentralet, i varur nga reshjet e shiut. Në rast shirash të bollshme, Shqipëria mund të përfitojë nga shitja e tepricave të energjisë elektrike.