KRM “Pastrimi” Sh.A. ka njoftuar qytetarët dhe bizneset e Prishtinës për zbatimin e çmimores së re për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale. Ky ndryshim është në përputhje me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor 2023 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës me Aktin Nr. 90391.
Çmimorja përcakton tarifa të standardizuara, të diferencuara sipas kategorive të konsumatorëve, madhësisë së bizneseve, zonave urbane ose rurale, si dhe llojeve të kontratave.
Tarifat për amvisëri
• Amvisëritë rezidente: 5.56 euro në muaj pa TVSH, ose 6.20 euro me TVSH 8%.
• Amvisëritë jorezidente: 17.8 euro në vit me TVSH.
Tarifat për biznese
• Dyqane të vogla dhe biznese artizanale: 8.4 euro mujore me TVSH në zona urbane, 6 euro në zona rurale.
• Biznese mesme dhe të mëdha: 15 deri në 30 euro mujore me TVSH në zona urbane, 8.4 deri në 18 euro në zona rurale.
Tarifa për kontejnerë dhe shërbime të veçanta
• Zbrazje kontejneri 1.1 m³: 18 euro me TVSH.
• Zbrazje kontejneri 7.1 m³: 64.50 euro me TVSH.
• Shërbime me porosi (mbeturina vëllimore, ndërtimi, demolimi, gjelbra): 9.4 deri në 9.9 euro për metër kub me TVSH.
Sipas kompanisë, synimet kryesore të çmimores përfshijnë sigurimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, rritjen e transparencës në tarifim, ofrimin e shërbimit të rregullt dhe cilësor, si dhe përmbushjen e standardeve mjedisore dhe të shëndetit publik në Komunën e Prishtinës.
KRM “Pastrimi” vlerëson bashkëpunimin me qytetarët dhe subjektet ekonomike dhe është e gatshme për sqarime të mëtejshme, informim publik ose bashkëbisedim institucional.