Prokuroria e Qarkut në Split të Kroacisë ka ngritur aktakuzë zyrtare për veprën penale të spiunazhit ndaj shtetasit kroat J.I. dhe partneres së tij, shtetases serbe nga Kosova, A.M. Hetimet, të cilat tashmë kanë përfunduar, zbuluan se në periudhën nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, piloti ushtarak ka shfrytëzuar detyrën e tij në Forcat e Armatosura të Kroacisë për të siguruar informacione të klasifikuara, të cilat ia ka përcjellë vazhdimisht partneres së tij.
Sipas akuzës, J.I. ka qenë në dijeni se partnerja e tij i mblidhte këto të dhëna për një shtet të huaj. Ndërkohë, A.M. akuzohet se informacionet e siguruara i ka dërguar në disa adresa jashtë Kroacisë. Një pjesë thelbësore e dyshimeve fokusohet në periudhën kur piloti shërbente në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë. Ai akuzohet se ka zbuluar detaje mbi lëvizjet e trupave të NATO-s, zhvillimet e sigurisë dhe lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës gjatë tensioneve të vitit 2022. Raportimet mediatike, të bazuara në dokumentet e prokurorisë, tregojnë se këto informacione i janë përcjellë Listës Serbe.
Lidhur me masat e sigurisë, prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masave kufizuese për A.M. për shkak të rrezikut të arratisjes. Ndërkaq, ish-piloti J.I., i cili është shkarkuar nga shërbimi ushtarak pas nisjes së procedurave, ishte liruar nga paraburgimi në fund të tetorit të vitit 2025, nën masa paraprake që përfshijnë ndalimin e kontaktit me dëshmitarët. Pas zbulimit të rastit, autoritetet e Kosovës shprehën gatishmëri për bashkëpunim me homologët kroatë, ndërsa nga NATO deklaruan se siguria e misionit dhe integriteti i informacioneve mbeten prioritare.