Prokuroria e Qarkut në Split ka zyrtarizuar ngritjen e aktakuzës ndaj shtetasit kroat J.I., ish-pilot në Forcat Ajrore të Kroacisë, dhe partneres së tij shumëvjeçare, shtetases serbe A.M. Sipas aktakuzës, piloti në periudhën shkurt-dhjetor 2022 i ka vënë në dispozicion partneres së tij informacione të klasifikuara, duke qenë në dijeni se ajo po i grumbullonte ato për llogari të një entiteti të huaj.
Hetimet tregojnë se A.M. i ka përcjellë informacionet përmes platformave të enkriptuara në adresa të huaja. Një pjesë e dyshimeve fokusohet te ndarja e të dhënave mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it dhe zhvillimet në veri të Kosovës, të cilat supozohet se i janë dorëzuar më pas Listës Serbe.
Lidhur me masat e sigurisë, autoritetet kroate kanë kërkuar vazhdimin e masave paraprake për A.M. për shkak të rrezikut të arratisjes. Ndërkohë, J.I. ishte liruar nga paraburgimi në fund të tetorit të vitit 2025 nën masa kujdesi dhe ndalim kontakti me dëshmitarët. Për shkak të përfshirjes në këtë çështje, piloti është shkarkuar nga shërbimi ushtarak.
Gjatë hetimeve, në shtëpinë e A.M. në Mitrovicë të Veriut ishin gjetur sprej, gëzhoja dhe fishekë. Me ngritjen e kësaj aktakuze, faza hetimore konsiderohet e përfunduar dhe çështja kalon në procedurë të mëtejshme penale.