Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka ndërmarrë masa kufizuese për automjetet me tonazh të rëndë që kalojnë në Urën e Matit, në aksin nacional Lezhë-Milot. Në të dyja anët e urës janë instaluar barriera betoni për të ndaluar kalimin e mjeteve që tejkalojnë peshën e lejuar prej 13 tonësh.
Ky vendim vjen pas monitorimeve në terren, të cilat evidentuan shkelje të përsëritura të sinjalistikës nga drejtuesit e automjeteve. Sipas ARRSH-së, kjo ndërhyrje nuk është pasojë e ndonjë dëmtimi apo çedimi të ri të urës, por shërben si një masë parandaluese për të mbrojtur themelët e përforcuar gjatë punimeve emergjente të kryera disa muaj më parë.
Projekti për rikonstruksionin dhe përforcimin e urës, e cila ka një gjatësi prej 844 metrash, kushtoi 107 milionë lekë, ndërsa punimet për realizimin e tij zgjatën rreth 8 muaj. Pavarësisht shpjegimeve zyrtare, një pjesë e drejtuesve të automjeteve dhe përdoruesve të rrugës kanë ngritur shqetësime në lidhje me gjendjen e strukturës, duke shprehur dyshime mbi cilësinë e investimit të bërë.