Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit do të mbahet pasnesër në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi. Sipas listës së publikuar nga Qeveria e Malit të Zi, në mesin e pjesëmarrësve do të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në listë janë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq. Pjesëmarrës të tjerë të përmendur janë kryeministri i Serbisë, Djuro Macut, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do të qëndrojë në Mal të Zi të mërkurën dhe të enjten. Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, të mërkurën ajo do të takohet me presidentin malazez Jakov Milatoviq, kryetarin e Kuvendit Andrija Mandiq dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Bisedimet do të përqendrohen te përparimi i Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, agjenda evropiane dhe reformat që lidhen me këtë proces. Kos do të bisedojë gjithashtu me përfaqësues të partive opozitare.
Mediat malazeze raportojnë se Kos pritet të takohet me Kurtin për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë. Gjatë samitit, ajo do të takohet edhe me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, për të diskutuar investimet dhe mbështetjen për zhvillimin rajonal dhe integrimin evropian.
Bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të jenë në fokus të samitit. Lista përfshin gjithashtu drejtues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, si dhe përfaqësues të organizatave të tjera ndërkombëtare.