Në 27 janar 2026, me rastin e Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Dimal Basha vendosën kurora lulesh pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, në çarshinë e vjetër të Prishtinës.
Ky veprim u bë në përkujtim të viktimave të Holokaustit, të cilët u vranë me plumba dhe gaz, u dogjën në krematoriume ose vdiqën nga kushtet në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore nga aksionet e nazistëve.
Në një postim në Facebook, Albin Kurti shkroi: "Këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor".
Ai shtoi se populli i Kosovës, duke qenë vetë viktimë e gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit nga Serbia, ka treguar gjithmonë empati të veçantë ndaj popujve të tjerë të prekur. "Andaj edhe sot, si në çdo përvjetor, i kujtojmë viktimat e Holokaustit që mos t’i harrojmë vuajtjet dhe dhimbjen, dhe i rikujtojmë ngjarjet që ato mos të përsëriten", theksoi Kurti.