Ambasada e Gjermanisë në Kosovë përkujtoi 27 janarin 1945, ditën kur Ushtria e Kuqe çliroi kampin e përqendrimit Aushvic, duke nxjerrë në dritë mizoritë e Gjermanisë naziste. Në një mesazh në Facebook, ambasada thekson se grumbujt e valixheve në Muzeun Aushvic-Birkenau dëshmojnë vuajtjet e viktimave, ku u vranë mbi një milion njerëz.
Së bashku me ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe ambasadoren e Izraelit Tamar Ziv, u kujtuan burrat, gratë dhe fëmijët hebrenj, si dhe grupe të tjera të persekutuara nga regjimi nazist, midis tyre Sinti dhe Romët, të burgosurit politikë, personat me aftësi të kufizuara, homoseksualët dhe të tjerë. U nderuan edhe mbijetarët e Holokaustit.
Ambasada nënvizon se, më shumë se 80 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, numri i dëshmitarëve të drejtpërdrejtë po zvogëlohet, ndërsa brezat e rinj kanë lidhje më të pakta me këtë periudhë. “Të mos harrojmë kurrë Aushvicin” dhe “Kujtimi na obligon të mos lejojmë përsëritjen e tmerreve”, thuhet në reagim, duke theksuar domosdoshmërinë e kujtesës historike dhe edukimit për të parandaluar krime të ngjashme.