Gjyqtari Charles L. Smith III ka kryesuar trupin gjykues në procesin gjyqësor kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ku pas shpalljes së vendimit u kumtua dënimi prej 81 vitesh burgim në total. Paneli gjykues, përveç Smithit, përbëhej nga gjyqtarët Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux, me Fergal Gaynor në rolin e gjyqtarit rezervë. Pas këtij zhvillimi, Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet një zëdhënësi, theksoi se SHBA-ja respekton vendimin e gjykatës dhe kërkoi nga të gjitha palët pranimin e tij, duke saktësuar se vendimi është marrë në mënyrë të pavarur nga paneli.
Biografia profesionale e gjyqtarit Smith
Charles L. Smith III është shtetas amerikan dhe është emëruar gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017, ndërsa nga 29 prilli 2020 mban edhe postin e nënkryetarit të këtij institucioni. Përvoja e tij në Kosovë përfshin shërbimin si gjyqtar i misionit EULEX nga viti 2010 deri më 2013, ku ishte anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe kryesoi Asamblenë e Gjyqtarëve të EULEX-it.
Karriera e tij e hershme përfshin:
• Gjyqtar dhe kryegjyqtar në Distriktin e Katërt Gjyqësor të shtetit Iowa (1990–2010).
• Avokat privat për çështje civile, penale, biznesore dhe tatimore (1970–1989).
• Arbitër dhe ndërmjetësues (prej vitit 2014).
Smith ka diplomuar në Universitetin Creighton në vitin 1970, vit kur u pranua edhe në Odën e Avokatëve të Nebraskës. Përveç këtij procesi, ai ka drejtuar edhe trupin gjykues në çështjen ndaj ish-drejtuesve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Aktualisht, ai ushtron edhe detyrën e gjyqtarit të lartë për ankesat e personelit.
Përditësime
Biogafia profesionale e gjyqtarit Charles L. Smith III pasurohet me detaje shtesë mbi përvojën e tij të gjerë juridike. Ai ka shërbyer si anëtar i Këshillit Gjyqësor të Iowas nga viti 1996 deri në vitin 2010. Përpara se të merrte pozitën e kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Smith ka ushtruar funksionin e nënkryetarit të këtij organi. Përveç ekspertizës së tij në çështjet civile, penale dhe tatimore, praktika e tij e mëhershme si avokat privat përfshinte edhe trajtimin e çështjeve të trashëgimisë.