Sulmuesi i krahut të majtë i Sllovakisë, Leo Sauer, ka folur për përballjen e ardhshme me Kosovën në gjysmëfinalen e plej-ofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Ndeshja do të luhet më 26 mars në Bratislavë.
20-vjeçari luan te Feyenoord në Holandë, ku në fundjavë shënoi një gol. Ai ka luajtur 10 ndeshje me përfaqësuesen sllovake, duke përfshirë të gjitha 6 ndeshjet kualifikuese për Botërorin. Sauer pritet të jetë titullar në këtë përballje.
Ai deklaroi se nuk e njeh Kosovën si kundërshtar. “Do të jem i sinqertë, nuk di shumë për këtë kundërshtar. Nuk e kam parë asnjëherë duke luajtur. Por Kosova e ka mposhtur Suedinë dhe të gjithë thonë se kemi kundërshtar të vështirë. Kështu që duhet të përgatitemi mirë”, tha Sauer për faqen zyrtare të Federatës Sllovake të Futbollit.
Fituesi i çiftit Sllovaki-Kosovë do të luajë në shtëpi finalen e plej-ofit kundër fituesit të përballjes Turqi-Rumani, që jep biletën për Botërorin e zhvilluar në verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sauer e sheh kualifikimin si arritje historike. “Pjesëmarrja në Kupën e Botës do të thoshte shumë për mua. Tashmë kam shijuar Evropianin dhe kam pasur përvojë e kujtime të mahnitshme. Kualifikimi në Botëror është ndoshta gjëja më e madhe që mund të arrish me ekipin kombëtar. Do të ishte ngjarje e madhe për Sllovakinë nëse kualifikohemi”, theksoi ai.
Sllovakia vlerësohet favorite për shkak të avantazhit të fushës dhe përvojës, ndërsa Kosova ka zhvilluar një fushatë të mirë kualifikuese me lojtarë në ligat kryesore evropiane.