Gjashtë banorë të Baks Rrjollit në Velipojë, të shoqëruar dje gjatë protestave kundër punimeve në tokat e tyre, janë liruar sot nga ambientet e policisë.
Banorët dolën nga komisariati duke u shprehur të vendosur për të vazhduar protestat. Njëri prej tyre deklaroi se ky ishte hera e 10-të që shoqërohet nga policia, duke përmendur një rast të mëparshëm ku qëndroi 30 orë i ndaluar. Prokuroria e Shkodrës e ka quajtur të paligjshëm atë ndalim. Ai akuzoi një polic për ndjekje personale dhe theksoi: "Ne nuk do të ndalim protestat. Do të jemi deri në fund, deri sa të fitojmë. Nuk na ndalon asgjë që të mbrojmë pronën tonë. Nuk e fal pronën, jam betuar. Do të jenë prona jonë, deri në fund, me çdo çmim".
Protesta e djeshme në Baks Rrjoll u shoqërua me përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë. Këto protesta, që zgjasin prej më shumë se tre javësh, kundërshtojnë punimet për ndërtimin e një resorti turistik nga Bashkim Ulaj. Banorët kanë tentuar të hyjnë në tokat që pretendojnë si të tyre pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila ka njohur familjen Malaj si pronarë të ligjshëm. Forcat e policisë kanë bllokuar qasjen e tyre.
Situata në Velipojë mbetet tensionuese ndërsa banorët insistojnë në mbrojtjen e pronës së pretenduar.