Protestuesi Albion Nikolli u lirua këtë të shtunë, pasi kishte qëndruar në paraburgim për 4 ditë pas shoqërimit gjatë protestës së të enjtes para Kuvendit. Menjëherë pas lirimit, ai iu bashkua protestës në bulevard ku mbajti një fjalim para qytetarëve.
Në deklaratat e tij, Nikolli pohoi se arrestimi ishte i paligjshëm. Ai denoncoi pretendime për përdorim dhune dhe mungesë të ndihmës së domosdoshme mjekësore gjatë kohës që të arrestuarit ndodheshin në mjediset e komisariatit.
Sipas Nikollit, gjatë ndalimit, një pjesë e efektivëve të Policisë së Shtetit i janë shprehur atij dhe të arrestuarve të tjerë se mbështesin kërkesat e protestuesve. Ai theksoi se policët ndihen të shtypur nga sistemi, duke iu referuar problemeve me mospagimin e orëve shtesë dhe menaxhimin e tenderave për uniformat.
Nikolli shtoi se lëvizja e tyre nuk është kundër ligjit apo rendit kushtetues, por është e orientuar kundër asaj që ai e përkufizoi si autokraci dhe kapje e shtetit nga mafia. Ai u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë të protestojnë për demokracinë dhe shtetin ligjor.