Kina dhe Rusia janë partnerë të ngushtë të Iranit. Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, që hyjnë në javën e katërt, ndërsa Irani vazhdon të kundërpërgjigjet në rajon, pritet të ndikojnë në marrëdhëniet e tyre.
Zineb Riboua, bashkëpunëtore kërkimore në Qendrën për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme të Institutit Hudson dhe eksperte për përfshirjen e Kinës dhe Rusias në rajon, foli për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë.
E pyetur për rolin e Pekinit në Lindjen e Mesme, ajo tha se sulmet ndaj Iranit dobësojnë në mënyrë indirekte pozicionin e Kinës në rajon. Kina ka marrëdhënie të mira tregtare me vendet e Gjirit, kryesisht për naftën, përtej iniciativës “Brezi dhe Rruga” dhe “Rrugës Digjitale të Mëndafshit”.
Sipas saj, Irani është partner agresiv që terrorizon rajonin me milici. Këto milici kundërshtojnë fuqinë e SHBA-së në një zonë të rëndësishme për rrjedhat e energjisë, duke ndihmuar Kinën të fitojë pozicion më të mirë.
Irani luan rol të madh në shmangien e sanksioneve. Kina nuk dëshiron të vuajë sanksione si presidenti rus Vladimir Putin dhe përdor Iranin për të anashkaluar kanalet financiare, veçanërisht në rast krize në Tajvan.
Irani është interesant për Kinën edhe për shkak të pozicionit të tij.