Sipas një plani paraprak të Komisionit Evropian, Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit 2026. Marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor 2027. Plani është pjesë e një udhërrëfyesi që Komisioni pritet ta publikojë më 4 nëntor për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
Dokumenti, i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, parashikon që kapitujt e mbetur të trajtohen në dy konferenca ndërqeveritare, në nëntor dhe dhjetor. Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt e negociatave, ndërsa të paktën një kapitull tjetër pritet të mbyllet deri në fund të kësaj jave.
Në konferencën e nëntorit pritet të mbyllen përkohësisht pesë kapituj:
- Energjia dhe politika e transportit;
- Siguria ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare;
- Tatimet;
- Lëvizja e lirë e mallrave.
Për konferencat e dhjetorit janë parashikuar kapitujt për shërbimet financiare; politikën rajonale dhe koordinimin e fondeve strukturore; mjedisin dhe ndryshimet klimatike; politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes; si dhe dispozitat financiare e buxhetore. Në listë janë edhe kapitujt 23 dhe 24, përkatësisht për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, bashkë me kapitujt 34 dhe 35, për institucionet dhe çështje të tjera.
Kapitujt 23 dhe 24, të lidhur me sundimin e ligjit, janë hapur që në vitin 2013. Sipas rregullave të BE-së, këta kapituj hapen ndër të parët dhe mbyllen të fundit; përparimi në ta ndikon në ritmin e përgjithshëm të negociatave. Në paketën e zgjerimit që Komisioni pritet të publikojë të mërkurën, vlerësohet se Mali i Zi ka përparuar në reformat për të drejtat themelore dhe ka përmbushur kriteret përfundimtare për mbylljen e tyre. Megjithatë, mbyllja e kapitujve mbetet e përkohshme deri në arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme për të gjithë kapitujt.
Komisioni parashikon që hartimi i marrëveshjes së anëtarësimit të përfundojë në pranverën e vitit 2027. Pjesa e mbetur e draftit pritet të paraqitet në fillim të vitit të ardhshëm. Një grup i posaçëm pune, i krijuar në prill, po harton tekstin dhe mblidhet rregullisht në Bruksel. Më pas, marrëveshja duhet të harmonizohet e të miratohet nga vendet anëtare të BE-së dhe Mali i Zi, si dhe të përkthehet në gjuhët zyrtare të BE-së dhe në gjuhën malazeze.
Komisioni thekson se afatet janë orientuese dhe nuk garantojnë përfundimin e negociatave apo nënshkrimin e marrëveshjes në kohën e parashikuar. Përparimi varet nga përmbushja e kushteve të anëtarësimit, ndërsa vendimet përkatëse varen edhe nga Këshilli i BE-së, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.