Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë ishte tema qendrore e takimit ndërmjet ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe përfaqësuesve të Odës Ekonomike Amerikane. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe zyrtarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Ministri Maqedonci prezantoi vizionin e tij për zgjerimin e aftësive industriale në këtë sektor dhe theksoi rëndësinë e hartimit të legjislacionit të nevojshëm. Ai vlerësoi lart partneritetin me Odën Ekonomike Amerikane gjatë dy viteve të fundit, duke veçuar kontributin e përbashkët në organizimin e garës së parë për drona, Sharkathon, të mbajtur vitin e kaluar.
Në njoftimin e publikuar, u bë e ditur se janë themeluar disa ndërmarrje të reja të cilat kanë sjellë produktet e para të prodhuara në Kosovë, duke u cilësuar si tregues i qartë i potencialit për inovacion teknologjik. Ministri vuri në dukje domosdoshmërinë e një qasjeje të strukturuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe ofruesit e shërbimeve arsimore. Kjo iniciativë synon zhvillimin e kuadrove profesionale, të cilat janë të domosdoshme për rritjen e qëndrueshme të industrisë së mbrojtjes.
Bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, i mbështetur nga partnerët strategjikë, u vlerësua si faktori kryesor për sigurimin e suksesit në këtë fushë strategjike për vendin.