Në forumin për mundësitë e investimeve në sektorin minerar dhe lëndët e para kritike, të mbajtur në Kosovë më 30 tetor, përfaqësues të institucioneve, universiteteve dhe sektorit privat kërkuan kushte më të parashikueshme për investitorët dhe përpunim më të madh të lëndëve të para brenda vendit. Takimi u organizua nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Komitetin e Grave në Energji dhe Miniera. Pjesëmarrësit thanë se sektori mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe integrimin e Kosovës në zinxhirët globalë të furnizimit.
Shqipe Vela, udhëheqëse e Komitetit të Grave në Energji dhe Miniera, tha se shfrytëzimi i pasurive natyrore kërkon kuadër të qartë ligjor, politika të qëndrueshme dhe strategji afatgjatë. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore dhe bizneseve për përgatitjen e punonjësve të kualifikuar, si dhe rolin e investitorëve vendorë e ndërkombëtarë në modernizimin e industrisë.
Arben Mustafa, kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës, tha se kërkesa globale për burime të sigurta të lëndëve të para krijon mundësi për vendin. Sipas tij, investimet kërkojnë institucione funksionale, transparencë, procedura më të thjeshta dhe siguri juridike. Ai shprehu përkushtimin për rishikimin e legjislacionit dhe adresimin e pengesave burokratike. Mustafa tha se investitorët amerikanë mund të sjellin kapital, teknologji, ekspertizë dhe qasje në tregjet ndërkombëtare. Ai theksoi se përfitimet nga sektori minerar duhet të mbeten sa më shumë brenda ekonomisë së Kosovës, përmes përpunimit, krijimit të vlerës së shtuar dhe vendeve të qëndrueshme të punës.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, tha se zhvillimi minerar duhet të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përpunimin e lëndëve të para në Kosovë. Ajo veçoi Trepçën si aset strategjik dhe tha se investimet, menaxhimi më i përgjegjshëm dhe modernizimi teknologjik nevojiten për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjes. Ministria synon të avancojë vlerësimin e pasurive minerale, të shqyrtojë gazifikimin e qymyrit mbi bazën e analizave ekonomike, teknologjike dhe mjedisore, si dhe të hartojë një strategji të re minerare të mbështetur në të dhëna gjeologjike.
Mentor Demi, përfaqësues i Western Tethyan Resources dhe kryesues i Odës së Minierave të Kosovës, tha se sektori minerar nuk merr vëmendjen e merituar në diskutimet për zhvillimin ekonomik. Ai vlerësoi se në Kosovë mungon një kuptim i plotë i rëndësisë strategjike të sektorit dhe i natyrës afatgjatë të investimeve. Sipas tij, zhvillimi i një projekti minerar mund të zgjasë mesatarisht deri në 20 vjet, ndaj politikat dhe vendimmarrja duhet të sigurojnë vazhdimësi e parashikueshmëri përtej cikleve afatshkurtra.
Demi ngriti shqetësime për funksionimin e institucioneve rregullatore, veçanërisht të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Ai tha se vonesat dhe mungesa e vendimmarrjes po pengojnë projekte private minerare, përfshirë raste kur investitorë ndërkombëtarë kanë bërë investime milionëshe në kërkime, por projektet janë bllokuar. Sipas tij, megjithëse kuadri ligjor është përgjithësisht i favorshëm për investitorët e huaj, zbatimi i tij dhe llogaridhënia institucionale mbeten sfida.