Marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Kinës kanë hyrë në fazën “pa dëme” ose “mos dëmto”. Ky zhvillim vjen në vitin 2026, pas një përpjekjeje të dështuar vitin e kaluar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e cila pengua nga kufizimet e gjera të Pekinit mbi eksportet e metaleve të rralla.
Gjatë dy muajve të fundit, disa liderë perëndimorë kanë vizituar kryeqytetin kinez. Midis tyre janë Emmanuel Macron i Francës, Michael Martin i Irlandës, Mark Carney i Kanadasë, Petteri Orpo i Finlandës dhe Keir Starmer i Britanisë së Madhe. Friederich Merz i Gjermanisë pritet të udhëtojë më vonë këtë muaj.
Këto vizita zyrtare synojnë sigurimin e aksesit më të madh në tregun kinez, të njohur për kufizimet e tij. Ato përkojnë me rritjen e tensioneve transatlantike, të shkaktuara nga politika e jashtme gjithnjë e më ekspansioniste e Uashingtonit, duke përfshirë përpjekjen e fundit për të detyruar Danimarkën të shesë Groenlandën.
Presidenti kinez Xi Jinping ka shfrytëzuar këto takime për të kritikuar në mënyrë implicite Donald Trump-in dhe për të paraqitur Kinën si mbrojtëse të multilateralizmit. Gjatë takimit me Keir Starmer, ai deklaroi: “Rendi ndërkombëtar është nën presion të madh. E drejta ndërkombëtare mund të jetë vërtet efektive vetëm kur të gjitha vendet i përmbahen asaj”. Njoftimi zyrtar kritikoi gjithashtu “unilateralizmin, proteksionizmin dhe politikën e pushtetit”.
Pekini synon të nxisë përçarje midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar ndikimin e tij gjeopolitik. Udhëheqësit perëndimorë kanë reaguar pozitivisht, por me kujdes, për të shmangur zemërimin e Trump-it.