India, vendi më i populluar në botë me 1,45 miliardë banorë, regjistron rritje ekonomike mesatare prej 6-7% në vit. Ky zhvillim shoqërohet me zgjerimin e klasës së mesme dhe pasurimin e një popullsie të re.
Marrëveshja e re e tregtisë së lirë midis Bashkimit Europian dhe Indisë parashikon ulje graduale të tarifave doganore për automjetet e importuara. Në fazën e parë, tarifat, që aktualisht arrijnë deri në 110%, ulen në 40% dhe më pas në 10%, për një kuotë vjetore prej 250 000 automjetesh. Taksat doganore për pjesët e ricambimit hiqen plotësisht pas 5-10 vjetësh.
Mundësitë për industrinë gjermane
Konstantin Gall, konsulent në EY Parthenon, e vlerëson marrëveshjen si mundësi për hapjen e aksesit në tregun indian për industrinë gjermane të automjeteve. Frank Schwoppe nga Shkolla e Menaxhimit të Këlnit e sheh si bazë të rëndësishme për gjetjen e klientëve të rinj, duke theksuar nevojën për SUV dhe automjete më të fuqishme për shkak të kushteve rrugore në Indi.
India është treg i rëndësishëm për industrinë globale të automobilave dhe mund të krahasohet me SHBA apo Kinën për nga potenciali.
Kujdes nga ekspertët
Christoph Stirmer, ekspert i industrisë, e cilëson marrëveshjen si "shpatë me dy tehe". Ajo inkurajon eksportet direkte, por ngrit pyetjen për leverdishmërinë e tyre kundrejt fabrikave ekzistuese në Indi, si ajo e Audi-s që pret zgjerim. Ekspertët mbeten optimistë pavarësisht konkurrencës nga prodhuesit vendas, japonezë dhe koreano-jugorë.
Elektromobiliteti po zgjerohet në Indi për shkak të ndotjes së ajrit në qytetet kryesore.