Marta Kos, komisionerja evropiane për Zgjerim, deklaroi të martën se siguria e Evropës lidhet ngushtë me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ajo e bëri këtë vlerësim pas takimit të parë ministror të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Bratisllavë të Sllovakisë.
Kos theksoi se Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra praktike për ta afruar më shpejt rajonin, ku përfshihet edhe Kosova, me strukturat evropiane. "Nga e kaluara dimë se vetëm dy vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të BE-së: Kroacia dhe Sllovenia. Prandaj duhet të bëjmë më shumë", tha ajo.
Ajo paralajmëroi se BE-ja nuk mund të lejojë rritjen e boshllëqeve të sigurisë në fqinjësi, veçanërisht në situatën gjeopolitike aktuale. "Për herë të parë ka forca të jashtme destabilizuese që duan ta shohin BE-në dhe vendet aspiruese të dështojnë në procesin e anëtarësimit dhe t’i përdorin këto vende kundër nesh", u shpreh Kos, duke përmendur shembullin e Rusisë në Bjellorusi me migrantët.
Sa i përket Shqipërisë, Kos tha se janë hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe shpreson mbylljen e tyre sa më shpejt. Maqedonia e Veriut ka përshpejtuar ritmin e reformave, ndërsa ambicia është që i gjithë rajoni të integrohet si anëtarë të barabartë, me të drejta dhe përgjegjësi të plota.
Deklaratat e ministrit sllovak
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blaňár, vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga mbështetja financiare dhe integruese e BE-së për sfida si migrimi i të rinjve dhe zhvillimi ekonomik. Ai përmendi Shqipërinë dhe Mali i Zi si shembuj pozitivë për rajonin. "Shqipëria është shumë e motivuar, por ende ka punë për të bërë", tha ai.
Pjesëmarrësit dhe Grupi
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria (min. Ferit Hoxha), Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova. Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor përfshin Austrinë, Kroacinë, Greqinë, Çekinë, Sllovakinë, Italinë dhe Slloveninë.