Një çift të moshuarish në fshatin Lainville-en-Vexin, në departamentin Yvelines të Francës, ka rënë pre e një skeme të sofistikuar mashtrimi, duke humbur pasuri që kap vlerën e 1.1 milionë eurove. Ngjarja filloi më 31 korrik, kur çifti mori një telefonatë nga një person që u prezantua si punonjës i një kompanie sigurie. Mashtruesi i njoftoi të moshuarit se të dhënat e tyre personale ishin komprometuar pas një rrjedhjeje informacioni dhe i këshilloi të qëndronin në banesë, duke u kërkuar për më tepër të përgatisnin një kallëzim paraprak për t'u dhënë besueshmëri pretendimeve të tij.
Dy ditë më vonë, mashtruesit ndërmorën fazën e dytë të planit. Njëri prej autorëve e largoi burrin nga banesa me pretekstin e një procedure sigurie, ndërsa bashkëshortja e tij u kontaktua në telefon nga një tjetër person që pretendonte se ishte pjesë e së njëjtës kompani. Ky i fundit, pasi mësoi për ekzistencën e një kasaforte, e bindi gruan se sendet me vlerë duhej të zhvendoseshin përkohësisht në një vend të sigurt.
Pensionistja vendosi në një çantë 5 500 euro para të gatshme, paund ari, shufra ari dhe bizhuteri, të cilat ia dorëzoi një personi që u paraqit në derën e shtëpisë si korrier i autorizuar. Pasi kuptuan se kishin rënë viktimë e një mashtrimi, çifti njoftoi menjëherë autoritetet policore.
Hetuesit francezë po shqyrtojnë mundësinë që autorët të kenë siguruar të dhënat personale të viktimave përmes rrjedhjeve të informacionit, të lidhura me sulme kibernetike ndaj kompanive që merren me blerjen dhe shitjen e arit në Francë. Deri në këto momente, autorët e ngjarjes mbeten të paidentifikuar dhe vijojnë të jenë në kërkim, ndërkohë që policia po verifikon nëse ky grup është i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme mashtrimi ndaj personave që zotërojnë pasuri me vlerë.