Gjatë zhvillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, një maturant në qarkun e Kukësit është përjashtuar nga procesi. Masa ndëshkuese është marrë pasi nxënësi është konstatuar duke fotografuar tezën gjatë testimit dhe duke e shpërndarë atë në rrjetet sociale.
Ministria e Arsimit njoftoi se provimi po zhvillohet në 144 qendra provimi në të gjithë vendin, me një pjesëmarrje prej mbi 26,600 maturantësh. Sipas institucionit, të gjitha procedurat po zbatohen në përputhje të plotë me Rregulloren e Maturës Shtetërore.
Në lidhje me rastin në Kukës, ministria sqaroi se publikimi i fotografive ka ndodhur pasi provimi kishte nisur tashmë. Sipas autoriteteve, ky veprim i izoluar nuk ka ndikim në integritetin e procesit në shkallë kombëtare, ndërsa maturanti përgjegjës është larguar menjëherë nga mjediset e provimit.