Në Portin e Sarandës ka mbërritur ditën e sotme kroçera Seabourn Quest, e cila sjell 467 pasagjerë të huaj për të vizituar jugun e Shqipërisë. Ky ndalim është pjesë e një fluksi në rritje të turizmit detar që po ndikon në ekonominë e zonës, pasi vizitorët frekuentojnë monumentet e trashëgimisë kulturore, plazhet dhe shërbimet lokale.
Sipas Doganës Shqiptare, strukturat përgjegjëse në Sarandë po menaxhojnë hyrjen e pasagjerëve përmes procedurave të shpejta dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, theksoi rëndësinë e këtyre masave lehtësuese për përmirësimin e përvojës së turistëve.
“Administrata doganore mbetet e angazhuar për të garantuar një shërbim sa më cilësor dhe efikas, duke mundësuar përpunimin e shpejtë të udhëtarëve dhe mjeteve në pikat hyrëse të vendit, në mbështetje të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë”, u shpreh Besmir Beja.
Rritja e numrit të kroçerave që ndalojnë në Sarandë shërben si një tregues i interesit në rritje të operatorëve ndërkombëtarë për Shqipërinë, e cila është shndërruar në një destinacion konkurrues në tregun mesdhetar. Saranda gëzon një pozicion strategjik, falë afërsisë me ishullin e Korfuzit dhe ofertës së pasur natyrore e kulturore.