Në Portin e Durrësit mbërritën më 22 prill 2026 dy kroçierat e para të sezonit turistik detar, “Monet” dhe “La Belle de l’Adriatique”. Kjo shënon hapjen zyrtare të sezonit në brigjet e Durrësit, ku anijet sollën turistë nga vende të ndryshme të botës për të vizituar qytetin dhe sitet përreth.
Kroçera “La Belle de l’Adriatique”, me flamur belg, mbërriti rreth mesditës me 95 pasagjerë dhe 49 anëtarë ekuipazhi. Anija, me gjatësi 110.65 metra dhe gjerësi 11.09 metra, erdhi nga porti grek i Igumenicës. Pas një qëndrimi njëditor në Durrës, do të vazhdojë itinerarin drejt Dubrovnikut në Kroaci.
Kroçera “Monet”, që lundron nën flamurin e Saint Vincent & Grenadines, mbërriti në orët e para të mëngjesit me 48 turistë dhe 29 anëtarë ekuipazhi. Me gjatësi 68.10 metra dhe gjerësi 10.10 metra, ajo erdhi nga Kotori në Mali të Zi dhe do të vijojë drejt Vlorës.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një postim: “Kroçierat ‘Monet’ dhe ‘La Belle de l’Adriatique’, dy vizitore me rreth 150 turistë, tashmë të njohura në brigjet tona, konfirmojnë edhe një herë rritjen e interesit për Shqipërinë në hartën e turizmit mesdhetar dhe rolin e Durrësit si një portë të rëndësishme hyrëse për turistët ndërkombëtarë”.
Durrësi rikonfirmon pozicionin si ndalesë të rëndësishme në itineraret e kroçierave mesdhetare, duke forcuar rolin e tij si portë hyrëse për vizitorët e huaj.