Shtetas shqiptarë të lindur jashtë Shqipërisë përfshijnë figura të njohura si trajneri aktual i kombëtares Silvinjo, ish-trajneri De Biazi, këngëtari i famshëm italian Albano, si dhe Lorik Cana e Berat Gjimshiti. Përtej tyre, mbi 420 mijë shtetas shqiptarë të tjerë të lindur jashtë vendit janë regjistruar në gjendjen civile.
Shumica dërrmuese e këtyre 420 mijë personave u regjistruan pas vitit 2011. Shkaku kryesor është stimuli i bonusit të bebes, ku shteti paguan për çdo fëmijë të lindur nga shtetas shqiptarë, pavarësisht vendit të lindjes. Një shkak tjetër është marrja e nënshtetësisë nga mijëra bashkëkombäs të lindur në trevat shqiptare përreth, për lëvizje pa viza në Europë ose arsye patriotike.
Nga 4.28 milionë shtetas shqiptarë të lindur në Shqipëri, sipas INSTAT-it, rreth 2.35 milionë banojnë aktualisht në vend. Pjesa tjetër, 1.93 milionë, jeton jashtë Shqipërisë. Kjo përfaqëson një rënie prej 26% të popullsisë banuese krahasuar me vitin 1989, kur banonin këtu 3.18 milionë shtetas të lindur në Shqipëri.
Nëse llogariten vetëm 4.28 milionë shtetasit e lindur në Shqipëri, rreth 45% e tyre banojnë tani jashtë vendit. Kjo përqindje ka evoluar nga 1% në vitin 1989, në 24% më 2001, 34% më 2011 dhe 45% aktualisht.
Periudha më intensive e emigrimit ishte ajo nga 1989 deri në 2001, kur u larguan 917 mijë shtetas të lindur në Shqipëri, pothuaj gjysma e totalit. Më pas, nga 2001 në 2011 u shtuan 495 mijë emigrantë të tjerë, ndërsa nga 2011 në 2025 u shtuan edhe 488 mijë të tjerë.