Ekipi mbrojtës i Rexhep Selimit ka reaguar zyrtarisht pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat e dënuan atë me 13 vjet burgim. Avokati kryesor, Geoffrey Roberts, deklaroi se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin e dhënë, por nënvizoi natyrën procedurale të kësaj faze.
Sipas Roberts, ky vendim përfaqëson vetëm fazën e parë të procesit gjyqësor. Mbrojtja është e vendosur të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për apel brenda kuadrit ligjor dhe shprehu bindjen se, në përfundim të procesit, Rexhep Selimi do të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.
Pas seancës gjyqësore, avokati Roberts konfirmoi se është takuar me klientin e tij për të diskutuar mbi vendimin dhe hapat e mëtejshëm ligjorë. Ai nuk pranoi të ndajë detaje shtesë lidhur me diskutimet specifike me të pandehurin, duke refuzuar t'u përgjigjet pyetjeve të tjera të mediave.
Përditësime
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, konfirmoi apelimin e aktgjykimit për klientin e saj. Gjykata Speciale e kishte dënuar më herët Krasniqin me 25 vjet burgim. Ekipi mbrojtës pretendon se trupi gjykues ka dështuar në vlerësimin e duhur të provave kyçe gjatë procesit.