Akademia e gjashtë e arbitrimit u përmbyll më 10 prill me ceremoninë e diplomimit në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Në këtë edicion u diplomuan 70 arbitra të rinj, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme ishin vajza.
Ky edicion rezultoi më i suksesshmi deri tani për numrin më të lartë të pjesëmarrësve që kanë zgjedhur rrugën e arbitrimit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori pjesë në ceremoni, përgëzoi arbitrat e rinj dhe i inkurajoi të ndjekin me përkushtim këtë profesion.
Duka vlerësoi pjesëmarrjen e lartë dhe theksoi rëndësinë e arbitrit në futboll. Ai premtoi mbështetje nga FSHF për karrierën e tyre dhe u uroi suksese. Në fjalimin e tij, Duka deklaroi: «Është kënaqësi për mua fakti që shoh një sallë me djem dhe vajza të rinj dhe të reja për një nga komponentët më të rëndësishëm të futbollit që është arbitrimi. Ky është edicioni i gjashtë i akademisë së arbitrimit dhe të paktën për nga numri është më i suksesshmi, edhe nga kualiteti i paraqitjes duket se është më i suksesshmi. Unë besoj se fillimi është i mbarë për ju dhe shpresoj shumë që do ta ndiqni këtë pasion të arbitrimit për t’u bërë arbitra profesionistë apo të niveleve të larta».
Ai shtoi: «Futbolli është lojë e bukur për ata që e luajnë dhe e shikojnë, por realisht pa ju bëhet i vështirë. Profesioni i arbitrit e bën sa më të bukur këtë lojë. Unë dua t’ju inkurajoj dhe t’ju shpreh gatishmërinë e FSHF-së për t’ju mbështetur në të gjitha drejtimet».