Komuniteti shqiptar në Staten Island, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, festoi për herë të parë "Albanian Festival", një ngjarje e organizuar në South Beach Boardwalk. Festivali shërbeu si një pikë takimi për gjeneratat e shqiptarëve, duke lidhur ata që kanë emigruar prej kohësh me brezat e lindur në SHBA.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi kontributin e gjerë të shqiptarëve në jetën shoqërore, ekonomike dhe profesionale të New York-ut, duke përfshirë fushat e biznesit, mjekësisë, teknologjisë dhe administratës. Ai nënvizoi se integrimi në shoqërinë amerikane nuk e zbeh identitetin kombëtar, por e pasuron atë. Kurti e cilësoi ruajtjen e gjuhës shqipe si një ndër përgjegjësitë më të rëndësishme ndaj brezave të ardhshëm.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë së Kosovës përmendi ngjarje historike, nga Lidhja e Prizrenit te pavarësia e Kosovës, dhe shprehu qëndrim kritik ndaj proceseve gjyqësore në Hagë për ish-udhëheqësit e UÇK-së, duke i konsideruar ato të padrejta. Ai falënderoi gjithashtu Batalionin Atlantik për rolin e tij.
Organizatori i festivalit, Naser Nika, i cili është kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, u shpreh se komuniteti shqiptar mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me historinë dhe vlerat e atdheut. Pjesëmarrësit theksuan se ky aktivitet shërbeu si dëshmi e gjallë e kulturës shqiptare që po kultivohet në diasporë.