Ermelinda Meksi, ish-deputetja socialiste, analizoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rezultoi në barazim 4-4, duke pezulluar Belindën Ballukun nga posti i zv.kryeministres.
Në një postim në rrjetet sociale, Meksi e sheh këtë rezultat jo si rastësi, por si ekuilibër frike nga gjyqtarët, të cilët vepruan si aktorë racionalë dhe jo si gjykatë. Ajo shpjegon se probabiliteti i këtij barazimi ishte i lartë, sepse kostoja e çdo alternative tjetër ishte më e madhe se kostoja e mosvendimit.
Sipas Meksit, një sistem që prodhon mosvendim si strategji optimale është i komprometuar. Kjo sjell rreziqe si:
• Çdo çështje me ngarkesë politike të përfundojë në mosvendim;
• Jurisprudenca të ndërtohet mbi heshtje, jo mbi norma;
• Gjykata të përdoret si valvul presioni, jo si standard kushtetues.
Meksi thekson se kur një gjykatë zgjedh barazimin ose mosvendimin, ky është alarm serioz ekzistencial për reformën në drejtësi.
Ajo shton se koston e mosvendimit nuk e paguajnë gjyqtarët, të cilët nuk ndëshkohen apo humbasin mandatin, as gjykata si institucion, ku 4-4 quhet proceduralisht korrekt, as palët politike, që e lexojnë si fitore ose shmangie humbjeje. Koston e paguan sistemi: Kushtetuta mbetet pa interpretim autoritar, konflikti shtyhet dhe riciklohet, precedenti krijon normën e heshtjes, ndërsa publiku mëson se barazimi është rrugë e sigurt.
Përfundimi i Meksit është se mosvendimi është strategji pa çmim individual, por me kosto kolektive të padukshme.