Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha deklaroi në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme se në fillim të konfliktit në Lindjen e Mesme ndodheshin 2962 shtetas shqiptarë me qëndrim të përhershëm dhe 543 me qëndrim të përkohshëm.
Autoritetet shqiptare kanë kontaktuar individualisht 2511 shtetas, prej të cilëve 138 kanë shprehur interes për t’u larguar nga zonat e rrezikut. 45 prej tyre u larguan individualisht me mjete të ndryshme transporti, ndërsa 17 të tjerë u evakuan me asistencën e shteteve të treta, sipas praktikës së përbashkët kur ka vende të lira në operacionet e tyre.
Ministria e Punëve të Jashtme ngriti një shtab krize që nga fillimi i situatës, i cili funksionon 24 orë në ditë në koordinim me përfaqësitë diplomatike. Kryeministri Edi Rama dhe ministri Hoxha janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët për informacion në kohë reale dhe masa mbrojtëse.
Pavarësisht përshkallëzimit, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë përfaqësi diplomatike në rajon, për të mbajtur praninë në terren dhe asistencën direkte ndaj qytetarëve. Ambasadat kanë organizuar regjistrim vullnetar dhe udhëzime për largim të sigurt.
Vështirësitë në Iran
Vështirësia më e madhe është regjistruar në Iran, ku Shqipëria nuk ka prani diplomatike. Për këtë, autoritetet bashkëpunojnë me Kryqin e Kuq dhe Gjysmëhënën e Kuqe, si dhe me Organizatën Ndërkombëtare për Migracion (IOM) dhe partnerë të tjerë për ndihmë dhe largim të mundshëm të shtetasve shqiptarë.
Ministri Hoxha nënvizoi se qytetarët janë këshilluar të shmangin udhëtimet në zonat e konfliktit.