Ferit Hoxha, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme më 31 mars 2026.
Në qendër të diskutimeve ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë, përfshirë progresin e arritur në reformat kyçe, ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim dhe angazhimin e vazhdueshëm për rezultate konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Takimi u karakterizua nga shkëmbime të hapura mbi sfidat e diplomacisë në kontekstin e ri gjeopolitik, transformimet nga zhvillimet teknologjike dhe ndërlidhjen mes sigurisë, ekonomisë e politikës.
Ministri Hoxha theksoi se orientimi evropian i Shqipërisë është i qartë dhe i pandryshueshëm, si rilidhje e plotë me hapësirën natyrore evropiane. Ai deklaroi: «Për ne nuk ka asgjë më gjithëpërfshirëse dhe më jetike sesa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Evropë ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm: zgjerimi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Sot, kushdo që flet për zgjerimin e konsideron atë një investim strategjik për të ardhmen e Evropës. Evropa është një histori zgjerimi, një histori rritjeje. Dhe nëse shpesh thuhet se Evropa do të zgjerohet kur të vijë koha e duhur, për ne kjo kohë është tani. Nuk ka arsye për vonesa».
Hoxha nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët për perspektivën evropiane të vendit, si dhe rolin e brezit të ri të diplomatëve në formësimin e së ardhmes së Evropës dhe rajonit. Ai vlerësoi kontributin e Akademisë Diplomatike të Vjenës në formimin e brezave të diplomatëve dhe lidhjen e qëndrueshme me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë. Në një postim në Facebook, ministri e cilësoi takimin si frymëzues dhe vlerësoi përgatitjen e studentëve.